Excerpt for 101 Hapa në edukim by Osman Nuri Topbas, available in its entirety at Smashwords

101 HAPA NË EDUKİM

by

Osman Nuri TOPBAS


Published by Osman Nuri Topbas at Smashwords

Copyright © 2011 by Osman Nuri Topbas

Smashwords Edition, License Notes

All rights reserved. No part of this publication may be reproduced, stored in a retrieval system, or transmitted in any form or by any means, electronic, mechanical, photocopying, recording or otherwise, without the prior permission of the copyright owner.

E-mail: english@islamicpublishing.net

Web site: http://www.islamicpublishing.net

Fjala më e bukur Nga Kur’ani Famëlartë:

“…bëj mirë, ashtu si dhe Allahu të bën ty mirë…” (el-Kasas, 77)

“ ...do të pyeteni për të mirat (e kësaj bote) kur ajo ditë do të vijë” (et-Tekathur, 8)


1

Nëna është edukuesja e parë e njeriut, nga barku i saj nis edukimi.

2

Fëmija është amaneti hyjnor që i është dhuruar prindërve dhe mësuesve, përmes të cilit fitohen sevapet.

3

Trashëgimia më e vyer që lë prindi tek fëmija është edukata e mirë, karakteri dhe personaliteti i shëndoshë, të cilat arrihen nëpërmjet një shkollim me cilësi.

4

Njeriu është krijesa që ka më tepër nevojë për edukim. Arti më në piedestal në jetë është të edukosh një njeri. Allahu i Madhëruar dërgoi profetët si mësuesit më të lartë të njerëzimit, prandaj të shërbyerit si mësues është profesion profetik.

5

Mësuesi nuk përçon thjesht dituri, ai mbjell farën e sinqeritetit tek fëmijët, formon mëndje të mprehta, zgjeron horizonte të mbyllura, mëson metoda të jetuari dhe mirësjellje pra, ndërton ndërgjegje të shëndosha.

6

Edukimi i një fëmije nuk mjaftohet me mundësimin e fjetjes dhe ushqimit, kusht është t’i zbukurosh atij shpirtin dhe mendjen me dije dhe me njohje intuitive (gnosë).

7

Mësuesi duhet të jetë i vetëdijshëm që po edukon njeriun e së ardhmes, i cili duhet ta bëjë atë, njeri të interesuar jo vetëm ndaj diturisë sipërfaqësore, por dhe ndaj botës shpirtërore, jo vetëm ndaj fshehtësisë, por dhe ndaj urtësisë.

8

Një mësim që jepet i ndarë nga bota shpirterore është i mangët. Ekuilibri materie-shpirt mbetet i padiskutueshëm për një njeri, në të kundërt do të ishte si zogu me një krah që përpiqet të fluturojë, por që s’do të kthehej tjetër veçse një kafshatë e një maceje të uritur.

9

Çdo gjallesë që nuk mund t’i përshtatet rrjedhës së jetës është e predispozuar të fshihet me kalimin e kohës, prandaj Hz. Aliu r.a. ka porositur në këtë mënyrë:

“Edukoni fëmijët sipas kohës që ata do të jetojnë dhe jo sipas kohës që ju jetoni.”


10

Nëse keni një grusht njerëzish sakrifikues të arsimuar mirë, do jeni një popull i fituar, në të kundërt do të mbeteni të humbur.

11

Nuk është ndonjë profetësi të parashikosh të ardhmen e një populli. Tregues të mjaftueshëm janë fëmijët dhe të rinjtë e atij vendi. Nëse fuqitë dhe energjitë e tyre i konsumojnë për vlera dhe për botën shpirtërore, atëherë e ardhmja e atij popull është e ndritur, përndryshe, nëse energjitë i shpenzojnë për epsh, atëherë përfundimi është i dhimbshëm.

12

Kapitali kërkon një fushë të vyer për të bërë investim. Arsimimi është fusha më e rëndësishme për këtë. Kalkulimi më i drejtë i së ardhmes është të edukosh njeriun ideal, njeriun me cilësi.

13

Një mësues i mirë duhet të manifestojë një karakter të shëndoshë, me të cilën të ngjallë simpati në zemra,të burojë mëshirë nga shpirti, si dhe të shpërndajë vullnet, përshpirtshmëri dhe energji pozitive.

14

Është e pamundur të bind të tjerët një njeri që është inkoherent, për ato që thotë dhe për ato që bën, Zija Pashai thotë:

“Nuk shihet fjala, por vepra.”

15

Mësuesi, pikësëpari duhet të bëhet vetë shembull duke zbukuruar jetën e tij para se t’ua rekomandojë të tjerëve bukuritë.

16

Mësuesi duhet të shpërndajë domosdoshmërisht energji pozitive tek nxënësit e tij, shembull tipik është bota shtazore: ndërkohë që një pulë zogjtë e saj gjatë rritjes i mban në krah, ose gjarpëri me shikimin e tij rrit këlyshët e vet, apo akrepi zogjtë e tij i mban mbi shpinë, po njeriu vetë ç’duhet të bëjë?

17

Në një vend ku nuk ka siguri dhe besim nuk ka arsim me cilësi të duhur. Mësuesit duhet të jenë manifestuesit e sigurisë tek të tjerët, me qëllim që nxënësit të ecin nën gjurmët e tij, pasi njerëzit i duan individët shembullorë, me dinjitet dhe karakter të shëndoshë.

18

Një popull merr formë në sajë të prijësve të tij, ashtu si Periudha e Lumturisë mori formë sipas skicës shpirtërore të Hz. Muhammed a.s., as’habi suffe është shembulli më i qartë për këtë. Abdullah Ibn Mes’udi, një nga nxënësit e suffes, për të shprehur edukatën profetike që kishte marrë, thoshte: “Dëgjonim dhikrin që bënin kafshatët ndërsa kalonin në fyt.”

19

Metoda më e mirë e marrëdhënies së profetit Muhammed a.s. ishte biseda fetare, sepse në bisedë fetare ka një marrëdhënie shpirtërore. Për arsye se biseda fetare merr rrjedhën sipas auditorit, ajo në një farë mënyre është një proces shkrimi recetash për auditorin.


20

Mësuesi duhet ta trajtojë nxënësin e tij sikur të jetë një nga personalitetet më të larta të së ardhmes, pasi nuk duhet të harrojë se mund të ketë në dorë një nga gjenitë, që mund të ndryshojë botën në të ardhmen.

21

Një mësues i mirë nuk duhet të lë pas dore asnjëherë formimin e tij, përpjekja për një progres të vazhdueshëm duhet të jetë atributi më i natyrshëm i tij, për ndryshe mjaft të zgjuar dhe të talentuar mund të shuhen për shkak të paaftësisë se tij.

22

Një brez cilësor është vepër e mësuesve cilësorë, me personalitete të pjekura, plot dije dhe edukatë. Mësuesit pa cilësi edukojnë dhe formojnë njerëz si vetja, të paaftë.

23

Nëse duam nxënës pa të meta, duhet të jemi ne, mësues pa të meta.

24

Një vegël që rregullohet nga një mjeshtër është kartvizita e mjeshtrit. Kështu, edhe kualiteti i mësuesit matet me nxënësit që ka edukuar ai.

25

Arsimi i mirë i mësuesit është një përgjegjësi e rëndësishme, sepse një mësues pa cilësi është thjeshtë konsumator i kotë i kohës së atyre nxënësve që u janë lënë në përgjegjësi.

26

Mësuesi është si bariu, përgjegjës për kopenë e tij, qëngjin që i është thyer këmba duhet ta mbajë në krah.

27

Çdo njeri beson se ajo që do të thotë është me rëndësi dhe kërkon vëmendje nga të tjerët, edhe mësuesi duhet ta dëgjojë kështu me vëmendje dhe me kujdes nxënësin që i është drejtuar atij për ndonjë problem, e jo ta shpërfillë.

28

Mësuesi duhet ta marrë seriozisht nxënësin dhe ta vlerësojë atë, kjo duhet të reflektohet edhe në sjellje.

29

Është përgjegjës para Allahut ai mësues që nxënësi i tij ka perspektivë të bëhet një çinar i tëri dhe mësuesi bëhet shkak që ai të bëhet një shkurre një metërshe.


30

Mësuesi duhet të njohë shumë mirë karakterin e nxënësit, derisa të gjejë damarët për të hyrë në zemrën e tij.

31

Ngaqë janë të ndryshme, karakteret dhe individualitetet e fëmijëve, metoda apo këshilla e njëjtë për të gjithë, njërit mund t’i bëjë mirë, tjetrit mund t’i bëjë keq, pikërisht për këtë mësuesi duhet të njohë mirë kartvizitat shpirtërore të nxënësve.

32

Si kokrrat e tespihit duhet t’i njohë mësuesi karakteret dhe aftësitë e nxënësve, për t’i ndihmuar ata në varësi të veçorive që kanë.

33

Sot jemi në kohë të tilla që njerëzit, ashtu si copat e drurëve në një vërshim uji, enden në pavetëdije. Më e keqja është, se duke pasur mundësi të rrjedhin lumenj aq të fuqishëm sa të gjallërojnë tokët, për arsye të këtyre specialistëve të cilët nuk i kanë orientuar në drejtimin e duhur, fatkeqësisht rrjedhin kanale.

34

Mësuesi duhet të tregohet i mëshirshëm, i drejtë dhe i sinqertë me nxënësit e vet, si dhe nuk duhet t’u japë një detyrë që s’mund ta bëjnë, sepse duhet t’i vlerësojë të gjithë sipas potencialit që kanë.

35

Mësuesi i drejtë është mësuesi i gjithë klasës. Nuk mund të ketë harmoni ku nuk ka drejtësi. Në një klasë që nuk ka harmoni nuk bëhet mësim dhe aty ku nuk bëhet mësim nuk ka arsim.

36

Mësuesi duhet të dijë se të qenit i drejtë nuk do të thotë të sillet në një mënyrë të barabartë me të gjithë, por të sillet në mënyrë të drejtë me të gjithë. Ai duhet t’i shmanget çdo lloj sjelljeje që njollos drejtësinë.

37

Një mësues duhet të jetë i drejtë gjithmonë, jo vetëm kur jep një gjykim, por edhe kur peshon diçka, kur dëshmon për diçka pra, i drejtë në çdo temë.

38

Mësuesi duhet të përgatitet duke pasur parasysh materialet e temës dhe veçoritë e klasës, për të realizuar një orë mësimi të vlefshëm.

39

Një mësues që ecën me plan-program, kupton në një orë mësimi se ku ka mbetur, çfarë ka shpjeguar dhe se sa me sukses e ka realizuar.


40

Mësuesi kur planifikon mësimin është i detyruar të caktojë që Ku, Kur dhe Si duhet t’i përdorë metodat pedagogjike.

41

Detyra e një mësuesi nuk është vetëm dhënia e diturisë, por dhe t’i organizojë orët e mësimit sa më tërheqëse për nxënësin, duke krijuar kështu lidhje dhe me jetën e përditshme nëpërmjet metodës pyetje-përgjigje, që ta bëjë sa më aktiv nxënësin.

42

Çelësi kryesor i suksesit në arsim është durimi, vendosmëria dhe sakrifica.

43

Mësuesi nuk duhet të ndjehet i rrezikuar përballë vështirësive dhe rreziqeve, përkundrazi ato duhet ta fuqizojnë atë.

44

Mësuesi nuk duhet të ndjehet asnjëherë i pashpresë, i pakujdesshëm apo indiferent, kjo mund t’i sjell atij dobësi dhe pamundësi për të ardhmen.

45

Nuk duhet harruar që eliksiri i lumturisë së përhershme shpirtërore, gjendet me vështirësi dhe me mundime, prandaj ajo që e bën jetën të begatë dhe të çmuar është sakrifica dhe përpjekja e secilit prej nesh, për të arritur në një qëllim madhor.

46

Shkollimi nuk është një dashuri e përkohshme, por një detyrë e lartë që duhet kryer me dashuri e dëshirë deri në frymën e fundit. Në këtë kontekst, mësuesi duhet të ushqehet përherë me durim dhe të mbështetet gjithmnonë tek Krijuesi.

47

Në cilatdo situata që të gjendet mësuesi, ai duhet ta mbajë gjallërinë e besimit, ta distancojë zemrën nga interesat e ndryshme materiale dhe t’i kushtojë vëmendje thirrjeve të heshtura të zemrave nevojtare për dituri.

48

Ashtu sikur është gabim që mësuesi për hir të vullnetarizmit të tij duke shërbyer, të mënjanojë fëmijët, prindërit dhe punën me të cilën jeton, gjithashtu nuk është drejtë që me justifikimin e këtyre të mos shërbejë.

49

Mësuesi nuk duhet mërzitet për ato gjëra materiale që nuk i ka realizuar, si dhe as nuk duhet të krenohet për ato gjëra materiale që ka realizuar.


50

Mësuesi duhet t’i rezervojë kohë nxënësit të tij edhe jashtë orarit të punës. Ai nuk duhet të luaj rolin e punëtorit që tregon kartën e tij në hyrje dhe dalje të punës. Apo si nëpunësi që hedh firmën në fletën e mungesave.

51

Mësuesi nuk duhet të jetë njeri që krijon probleme, por zgjidhës i problemeve. Në vend që të përdorë fjalë e kritika apo të kërkojë gabime e të meta tek të tjerët, ai duhet t’u afrohet çështjeve me një shpirt kreativ dhe me një pikëpamje pozitive.

52

Mësuesi nuk duhet të fajësojë të tjerët për arsye të pengesave që mund të gjejë gjatë të shërbyerit, le të përmirësojë dobësitë dhe të metat e tij.

53

Mësuesit që justifikohen duke thënë: “S’kemi ç’të bëjmë, nxënësit s’i kemi të aftë, nuk vlejnë, është kohë e prishur të punosh me to!”, Zoti iu përgjigjet me frutat e pemës së fikut, të cilat dalin nga gurët e shkëmbinjve.

54

Arsimi është arti i të harruarit të ankesave gjatë përballjes me vështirësitë. Aty ku fillon ankimi dhe padurimi, përfundon arsimi.

55

Mësuesi nuk duhet të presë t’i vijnë vetë mundësitë dhe hapësirat, duhet të jetë vetë kërkues i shërbimit.

56

Arsimi nuk është punë për dembelët, ai kërkon energji të larta dhe zemër të mbushur plot me energji pozitive.

57

Farat e diturisë që hidhen me një shpirt të mbushur me entuziazëm dhe emocion do të jenë çinarët e së ardhmes.

58

Mësuesi duhet ta dijë mirë kodin etik që është i pëlqyer dhe i praktikuar nga njerëzit dhe s’duhet ta neglizhojë asnjëherë atë.

59

Mësuesi i dashur dhe i sjellshëm, të shërben me një emocion prej të devotshmi, nuk shqetëson asnjeri dhe nuk shqetësohet nga askush.

Nuk duhet harruar se zemrat janë vendshikimi hyjnor.


60

Mësuesi çdoherë duhet të bëjë kujdes për shprehjet dhe sjelljet e tij, madje duhet të bëjë kujdes edhe për mënyrën se si bën lojëra me shoqërinë.

61

Mësuesi duhet t’i kushtojë vëmëndje kufijve mes sinqeritetit dhe informalitetit, mes modestisë dhe vulgaritetit, mes vendosmërisë dhe mendjemadhësisë, mos t’i përziejë me njëra-tjetrën.

62

Mësuesi në çdo vendndodhje dhe sidomos në klasë, duhet të manifestojë sjellje që i përshtaten personalitetit islam dhe nuk duhet të harrojë se çdo fjalë dhe sjellje e tij vendos nga një gur në personalitetin e nxënësve.

63

Mësuesi duhet të mendojë se gjatë mësimit, që është një moment transformim gjendjesh, të metat, gabimet dhe lapsuset e tij mund të kopjohen nga nxënësit, kështu që duhet ta ndjejë përgjegjësinë mbi të sjellurit dhe të shprehurit.

64

Mësuesi duhet të përpiqet të fitojë faljen hyjnore duke falur ai vetë.

65

Secili nga ne ka nevojë për interesim dhe vlerësim, duke u treguar më i interesuar, armikut ia pakësojmë armiqësinë dhe miqve ua shtojmë miqësinë.

66

Nuk arsimohet njeriu me fyerje,ashpërsi dhe vrazhdësi.

67

Nuk është e pëlqyeshme që të dhunohen nxënësit në emër të disiplinës.

68

Ashpërsia e tepruar lind urrejtjen. Toleranca e tepruar dobëson autoritetin. Suksesi i arrirë është ekuilibri tolerancë-ashpërsi.

69

Mënyra më e mirë për të zënë vend në zemrat e të tjerëve është ëmbëlsia, butësia dhe modestia. Një mësues i mirë duhet të jetë fjalëmbël, orator dhe gjithmonë i shprehur me fjalë të bukura, askujt nuk i pëlqejnë fjalët e rënda dhe të ashpra.


70

Sikurse piloti nuk lejohet të fluturojë kur nuk ndjehet mire psikologjikisht, ashtu dhe mësuesi nuk duhet lejuar të japë mësim kur ndjehet i nevrikosur apo i demoralizuar shpirtërisht.

71

Mësuesi me qetësinë e tij duhet t’u edukojë nxënësve të tij, nxënien e mësimit, qortimin dhe këshillën. Ai nuk duhet të harrojë asnjëherë, që është një dobësi e madhe e personalitetit të tij, kur përdor sjellje fyese ndaj nxënësve.

72

Njeriu është gjithmonë nën trysninë e ndjenjave të tij, mendon dhe vendos bashkë me to. Prandaj, mësuesi duhet të veprojë pasi të jetë konsultuar mirë, e cila i jep mundësi atij të bëjë shërbime më të drejta dhe më të begata.

73

Ndikimi që bën një mësues tek nxënësi i tij, i cili punon me emocion e përshpirtshmëri, është sikur aroma e këndshme e një flladi që kalon nëpër një kopësht plot me trëndafila, karajfila dhe lule të rralla.

74

Kjo botë bëhet xhennet në momentin kur përcillet mëshirë me sjellje,shprehje dhe shpirt.

75

Shpirtrat e përsosur,për të arritur në shpëtimin e përhershëm, kërkojnë përreth njerëz me arsim, shërbim dhe mëshirë.

76

Triumfi i vërtetë është triumfi i zemrave, e cila arrihet me zhndërrimin zemrave në vatra shpirtërore.

77

Mësuesi shembullor është specialist i zemrave, është mjek që bën gjilpërën e përjetësisë.

78

Zemra e mësuesit bëhet një qendër rehabilitimi shpirtëror, duke fituar mënyrën e të shikuarit të krijesave sipas këndvështrimit të Krijuesit.

79

Dashuria dhe përpjekja zgjidh çdo problem. Njeriut të cilit i kemi zgjidhur një problem, bëhet i yni. Ne jemi në brendësi të çdo sevapi që merr një njeri dhe të çdo përgjegjësie të rëndë të secilit që e humb atë.


80

Peshorja e dashurisë është sakrifica. Fjalët e zbrazta nuk shprehin asgjë,siç edhe Mevlana ka thënë:

“Mos u bëj maska e fjalës”.

Të pretenduarit për dashuri lind nevojën e sakrificës për t’u vërtetuar.

81

Miqësia dhe vëllazëria duhet të kuptohet përmes gjuhës shpirtërore. Mësuesi duhet të njihet me problemet e nxënësve, të gëzohet me gëzimin e tyre dhe t’i konsiderojë ata si shokë e vëllezër.

82

Mësues nuk është ai që përpiqet të gjejë të metat e nxënësve, por që mbulon gabimet dhe lapsuset e tyre dhe përpiqet që t’i udhëzojë ata.

83

Dashuria është lidhja e dy zemrave. Shëndeti i arsimit është në varësi të asaj sa krijohet mundësia e kësaj lidhjeje.

84

Mësuesi duhet t’i hap nxënësve portën e zemrës së tij deri në fund, që nxënësit t’i drejtohen të interesuar atij.

85

Respekti ndaj mësuesit, të zgjon interesin dhe për temat e shpjeguara prej tij. Kur mësuesi komunikon me dashuri dhe dhembshuri me nxënësin, mesazhet përçohen më fort, përmes linjës së zemrës se asaj racionale.

86

Mësuesi duhet të hyjë me respekt në mësim sikurse hyn në faltore,të kuptojë që materiali më i mirë që u jep ai nxënësve të tij është dashuria dhe vlerësimi.

87

Një dituri që nuk arrin në zemër nuk transformohet në njohje intuitive.

88

Mësuesit krijojnë një qasje për jetën duke përdorur organet më të shtrenjta të fëmijëve, zemrën dhe shpirtin, pikërisht për këtë ata mund të quhen “arkitektët e së ardhmes”.

89

Dituria dhe njohja intuitive mund të shpjegohen vetëm duke pasur një jetë të pasur shpirtërore të përzier me devocion, për të bërë efekt tek të tjerët. Kur arrihet kjo shkallë, njeriu vështron tjetrin me dashuri dhe fara që hidhet me dashuri është e përjetshme.


90

Për të qenë mësues duhet t’i kesh të forta ndjenjat e dhembshurisë dhe të mëshirës.

91

Nxënësi duhet konsideruar si një zog i plagosur që ka nevojë për mjekim, të tregohet dhembshuri dhe mëshirë për të, sepse dhembshuria dhe mëshira është eliksiri më efikas për ndërgjegjet e shëndosha.

92

Mëshira është një zjarr që kurrë nuk shuhet në zemrën e mësuesit.

93

Mësuesi, njeri interesagji që nuk njeh mëshirë dhe dhembshuri torturon mbarë njerëzinë.

94

Sikurse pamjet e trëndafilishta dhe me lule shumëngjyrëshe, gëzojnë njeriun më të trishtuar dhe të demoralizuar, ashtu dhe udhërrëfyesit e njerëzve duhet të zbusin zemra dhe të nxisin buzëqeshje dhe në fytyrat më të vrazhda të mundshme.

95

Kujdes! Mësuesi të metat e gjithçkaje duhet t’i kërkojë tek vetja e tij, ndërsa suksesin e punëve t’ia lërë vetëm Zotit të të gjithë botrave.

96

Mësuesi duhet ta mendojë si një dhuratë dhe dhunti të madhe profilin e vet dhe të jetë mirënjohës duke u treguar përgjegjës për nxënësin si shpirtërisht ashtu dhe materialsht.

97

Vendin e “egoizmit” dhe të “pretendimit” tek një mësues duhet ta zëjë “dashuria” dhe “dashamirësia”.

98

Jeta e mësuesit duhet të qëndrojë mbi boshtin e sinqeritetit dhe mbi përpjekjen e shërbimit larg rënies në sy.

99

Çdo ditë e re është një fletë e bardhë e hapur në kalendarin e jetës.

Ti e ke në dorë ta plotësosh në mënyrën më të bukur të mundshme fletën e bardhë që ke përpara.


100

Mësuesi çdo moment që kalon me nxënësin duhet ta vlerësojë mirë sikur është në frymën e fundit dhe të jetë falenderues dhe mirënjohës ndaj Zotit të tij.

101

Në këtë botë, fëmija është nevojtar i edukimit të prindërve dhe mësuesve të tij. Ndërsa në botën tjetër, prindërit dhe mësuesit janë nevojtarë për çdo lloj lutjeje të mirë dhe sadakaje xharije (lëmoshë rrjedhëse, sevapi i së cilës nuk ndërpritet) që vijnë nga fëmijët që kanë edukuar.

Disa porosi jetike nga udhërrëfyesi më i përsosur i arsimit

Kur’ani dhe Sunneti:

Fjala më e bukur është vepra e Allahut.

Metoda më e mira është metoda profetike.

Streha më e sigurt është devocioni në adhurim.

Të folurit më me virtyt është të përmendurit të Allahut.

Tregimet më të bukura gjenden në Kur’an.

Rrugët më të ndritura janë rrugët udhëzuese të profetëve.

Dija më e mirë dhe më e çmuar është ajo që shndërrohet në njohje intuitive.

Mirënjohja për pasurinë e paktë është më e mirë se mosmirënjohja për pasurinë e shumtë.

Justifikimi më i keq është ai që bëhet në momentin e vdekjes.

Pasuria më e mirë është pasuria shpirtërore, të ndihesh i pasur me aq sa ke.

Pendimi më i keq është ai që bëhet në ditën e kiametit.

Gabimi më i madh është gënjeshtra.

Besimi më i mirë është ai që është i gdhendur në zemër.

Pasuria pa zeqat, pa bamirësi e pa lëmoshë është faqezeza në botën tjetër.

Fitesa më e keqe është kamata dhe fajdeja.

Verbimi më i thellë është kur del nga rruga e drejtë pasi ke hyrë.

Verbimi më i keq është verbimi i zemrave.

Të bëhesh shkak për të hyr në besim një njeri, është më e mirë se lindja dhe perëndimi i vetë diellit. Të bëhesh shkak për të hyr në besim një njeri është rezultat i një edukimi të mirë shpirtëror.

Çdo shpërdorim ka të keqen e vet brenda, por më i keqi është “shpërdorimi që u bëhet njerëzve”.


Download this book for your ebook reader.
(Pages 1-19 show above.)